Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Vëllazëria”

Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive qe rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Vëllazëria”.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave & Aseteve Kriminale në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Sekuestrohen pasuri që arrijnë vlerën 5 milion euro, në ngarkim të dy vëllezërve me precedent penal në fushën e narkotikëve.

Në vijim të punës gjurmuese për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave në DVP Tiranë, në vitin 2019, kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Në zbatim të këtij procedimi, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirorganizuar u finalizua operacioni policor i koduar “Vëllazëria”, në kuadër të të cilit u bë ekzekutimi i vendimit të prokurorit për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme në ngarkim të shtetasve:

S. M. dhe E. M. (vëllezër), me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.

Gjithashtu, nga të dhënat e marra dyshohet se dy vëllezërit merren dhe me trafikim të lëndëve narkotike në Itali.

Gjatë operacionit u vendos sekuestro për 18 automjete, 3 njësi sipërfaqe toke, 2 apartamente, 2 ndërtesa banimi, 2 ambiente bar-kafeje, 1 ndërtesë trekatëshe, me një vlerë të përafërt rreth 5 milion euro, disa prej tyre të përfituara nga dhënia e parave me fajde (konkretisht një bar-kafe, një vilë trekatëshe dhe 18 automjete Porsche, BMW, Mercedes dhe Audi), ndërsa pjesa tjetër e pasurive dyshohet se është përfituar nga aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për të zbuluar asete të tjera që këta shtetas dhe familjarët e tyre mund t’i kenë regjistruar në emër të personave të tjerë.