Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 15 janar 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, arrestuan në flagrancë shtetasin M. M., 44 vjeç, banues në Durrës, pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij. Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 40 vjeç, pasi në një bar-kafe, në lagjen nr. 1, Durrës, i ka vjedhur aparatin celular shtetasit M. Ç. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin R. A., 39 vjeç, banues në Krujë, pasi në fshatin Tapizë, Krujë, është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin “Nissan” në gjendje të dehur. Gjatë kontrollit në automjet iu gjet një fenelinë policie që e mbante pa lejen e autoriteteve përkatëse. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditi një tjetër rast, duke vënë në pranga shtetasin R. Rr., 30 vjeç. Gjatë kontrollit në mjetin me të cilin qarkullonte ky shtetas u gjet një sasi lënde narkotike kokainë, 2 aparate celular dhe një shumë e konsiderueshme parash të dyshuara të përfituara nga shpërndarja e lëndës narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetases M. T., 39 vjeçe, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj babit të bashkëshortit të saj. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. K., 41 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim kombëtar, nga Seksioni i Kërkimit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit A. H., 51 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës Parë Tiranë e ka dënuar me 20 ditë burg, për veprën penale “Largimi nga vendi i aksidentit”. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. A., 50 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.79 mg/l. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Më datë 14.01.2021 janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin S. D.,  sepse në kryqëzimin e rrugës “Papa Gjon Pali II” me rrugën “Ismail Qemali”, duke vazhduar lëvizjen me mjet gjatë kohës që semafori kishte të ndezur dritën e kuqe është përplasur me mjetin tip “Skoda Rapid”, me drejtues shtetasin D. T. dhe pasagjer shtetasin A. M. Për pasojë janë dëmtuar shtetasit A. M. dhe D. T., të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore kanë dalë nga spitali.

Vlorë/Informacion paraprak – Në fshatin Gjormë, Selenicë, gjatë natës, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të parkuar në oborrin e banesës së shtetasit B. M. Nga verifikimet e bëra nga shërbimet e Policisë, nuk ka persona të dëmtuar. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Korçë – Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Pusteci”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Korçë, Policia Kufitare dhe shërbimet e Frontex-it, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Sekuestrohen 21 kg e 500 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis. Vihen në pranga 2 shtetasit që u kapën duke tentuar ta trafikonin lëndën narkotike nëpërmjet kufirit të gjelbër me Greqinë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Korçë, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Korçë dhe shërbimet e Frontex-it, në bashkëpunim me Forcat e Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë policore dhe koordinimit të veprimeve, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Pusteci”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve R. N., 41 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë dhe I. M., 54 vjeç, banues në fshatin Pojan, Maliq (i dënuar më parë për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”). Këta shtetas janë kapur nga shërbimet e Policisë, në afërsi të fshatit Cerje, Pustec, në kufirin e gjelbër me Greqinë, me dy çanta shpine, brenda të cilave u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 21 kg e 500 gr. lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e ndarë në pako, sasi të cilën këta shtetas po tentonin ta trafikonin në drejtim të Greqisë. Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 62 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 14 janë arrestuar dhe 46 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste: 5 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Kukës dhe 2 në Fier; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Fier dhe 1 në Lezhë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Fier dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast “Plagosja e rëndë me dashje”, në Lezhë, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 2 në Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Berat, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 3 raste: 1 rast, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Shkatërrimi i pronës”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Kukës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e drurëve dekorativë dhe frutorë”, 1 në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Kukës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 4 viktima dhe 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 2 në Lezhë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.