Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 24 Qershor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Qarkullonte me armë zjarri pa leje dhe me makinë të vjedhur, arrestohet në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2. Vihet në pranga 27 vjeçari, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja” mbetur në tentativë. Shpallet në kërkim edhe 42 vjeçari që mashtroi shtetasin italian duke i marrë makinën. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas marrjes së kallëzimit nga një shtetas italian, se nëpërmjet mashtrimit shtetasi E. P, i kishte marrë automjetin Alfa Romeo dhe nuk ia kishte kthyer më, organizuan punën për gjetjen e automjetit. Si rezultat i punës dhe informacioneve të grumbulluara, në rrugën “Bilal Golemi” shërbimet e Policisë kanë konstatuar automjetin, ku dhe kanë ndërhyrë menjëherë për të bërë bllokimin. Drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet, por nuk ka mundur dot dhe menjëherë ka hedhur nga automjeti një armë zjarri Pistoletë “TT”. Policia ka bërë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, të shtetasit E.S, 27 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Vrasja” mbetur në tentativë. Gjithashtu është bërë shpallja në kërkim për veprën penale “Mashtrimi” e shtetasit E. P 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për të njënjtën vepër penale, pasi ky shtetas ka mashtruar shtetasin italian duke i marrë makinën dhe ja ka shitur shtetasit E.S. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit së bashku me një karikator me fishekë si dhe automjeti në pronësi të shtetasit italian. Materialet i kaluan Prokurorise së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave stimuluese. Finalizohet operacioni antidrogë “Drimadha”. Sekuestrohen nga policia 100 kokrra ekstazi si dhe para të përfituara nga shitja e tyre. Vihet në pranga poseduesi. Seksioni i Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në zonën e Drimadhës, shpërndahej drogë stimuluese nga një shtetas, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor “Drimadha”, ku në bashkëpunim me forcat operacionale pranë DVP Vlorë kanë vënë në pranga 22 vjeçarin nga Tirana S.K. Gjatë kontrollit fizik, Policia i gjeti shtetasit S.K, 100 kokrra lëndë narkotike e dyshuar “Ekstazi” (drogë stimuluese) si dhe një sasi valute prej 525 eurove dhe 60.000 lekë të rinj, të cilat dyshohen se janë përfituar nga aktiviteti kriminal i shpërndarjes. Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 49 shtetas, konkretisht: 11 janë arrestuar, 2 janë ndalur, 1 është shpallur në kërkim dhe 35 po procedohen në gjendje të lirë.

Është ndalur 1 shtetas pasi ishte shpallur në kërkim, në qarkun Tiranë, i dënuar për veprat penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrrugor”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, 1 në qarkun Tiranë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 në qarkun Vlorë, me 1 autor të arrestuar.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste, konkretisht: 1 rast i “Kanosja” në qarkun Durrës, me 1 autor dhe 5 raste “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat, 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës, me 7 autorë, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 1 në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, 1 në Berat, ku autori është ndaluar dhe janë plotësuar 11 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, 1 në Berat, 1 në Vlorë dhe 1 në Kukës, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 10 të lënduar jashtë rrezkut për jetën.

Janë evidentuar 5 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në qarkun Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat, të cilët janë arrestuar.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Fier dhe 2 në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.