Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Policia e Shtetit pjesëmarrëse në një tjetër operacion ndërkombëtar të koduar “OPSON 8”. Operacioni me pjesëmarrjen e më shumë se 70 vendeve nga e gjithë bota. Ky operacion ndërkombëtar u mbështet nga INTERPOL dhe EUROPOL. Që prej 4 vitesh, Shqipëria nëpërmjet Policisë së Shtetit mbështet dhe merr pjesë në Operacionin Ndërkombetar “OPSON 8”, për goditjen e aktivitetit kriminal të prodhimit, tregtimit, trafikimit të produkteve ushqimore dhe pijeve nën/standarde dhe të falsifikuara. Gjatë operacionit në Shqipëri gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia në të gjitha qarqet janë arritur këto rezultate:
-Janë kontrolluar në total rreth 244 subjekte tregtare, persona fizikë, punishte dhe automjete transporti.
– Janë proceduar penalisht për veprën penale të “Shkelja e drejtave të pronësisë industriale”, gjithsej 8 subjekte.
– Janë proceduar penalisht për vepra të tjera penale “Mashtrim”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara”, Prodhim të kundërligjshëm, “Punësimi i paligjshëm”, ” Falsifikimi i dokumentave”, “Falsifikimi i vulave, i stampave osi i formularëve”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin”, “Prodhim i kundraligjshëm i artikujëve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, “Fshehja e të ardhurave”, gjithsej 30 subjekte.
– Janë proceduar penalisht në gjendje të lire 22 persona.
– Janë arrestuar në flagrancë dhe ndaluar 9 persona.
– Është shpallur në kërkim 1 person.
– Janë sekuestruar mallra të ndryshme ushqimore dhe pije të falsifikuara/nën standarde apo të prodhuara në mënyrë të kundraligjshme në sasitë:
Mish i ngrirë në sasinë 2534 kg; Verë në sasinë 8560 litra; Kafe 372 kg; Djathë 700 kg; Sallamra dhe nënprodukte 264 kg; Pije të forta alkoolike 52 litra; Pije freskuese 100 litra; Ujë mineral 1450 litra; Vajra vegjetale 66 litra,Vezë 4500 kokrra; Fruta të thata 85 kg; Patatina kubeti 600 njësi etj, të gjitha kapin vlerën rreth 160 000 USD.
Tiranë – Policia Rrugore e Tiranës gjatë 72 orëve të fundit ka arrestuar në flagrancë dy drejtues mjetesh për mitëdhënie. Në funksion të parandalimit të aksidenteve rrugore, ditët e fundit janë shtuar ndjeshëm patrullimet me përzgjedhje, kryesisht për verifikimin e nivelit të alkoolit tek drejtuesit e mjeteve me motor, por edhe për mangësi të tjera të karakterit administrativ. Nga verifikimet e kryera, krahas ndëshkimeve me masa administrative apo procedimeve penale të shumta per drejtim mjeti në mënyrë të parregullt, nga rrugorët e kryeqytetit janë kapur dhe me pas arrestuar në kushtet e flagrancës dy drejtues automjetesh të cilët, me veprimet e tyre gjatë kontrollit policor kanë konsumuar elementet e veprës penale të korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Më konkretisht, shtetasi Xh.V, është konstatuar dhe verifikuar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur në masën 0.80 mg/l, si dhe nga verifikimi rezultoi se drejtonte mjetin ne menyre abuzive ( pa leje drejtimi ), pasi i ishte pezulluar që në muajin Mars me afat 6 muaj po për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe me qellim shmangien e kontrollit policor dhe penalizmit për shkeljet e kryera, ky drejtues mjeti i ka ofruar agjentit verifikues të Policisë Rrugore një kartëmonedhe me prerje 5000 leke të reja. Gjithashtu në sajë të patrullimeve policore, më herët është konstatuar se shtetasi me iniciale Y. Sh drejtonte automjetin i pa pajisur me siguracionin e vlefshëm dhe me qëllim shmangien e penalizmit për këtë shkelje, i ka ofruar agjentit verifikues të Policisë Rrugore një kartëmonedhe me prerje 1000 lekë të reja. Të respektosh normat e sjelljes gjatë drejtimit të mjetit në rruge është detyrim ligjor, nëse i shkel, përballu me sanksionin e ✍ dhe mos tento të korruptosh punonjësit e Policisë.
Korçë – Kundërshtuan dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik, arrestohen në flagrancë tre shtetas. Mbrëmjen e djeshme, shërbimet e Policisë janë njoftuar se në lagjen nr 18 në Korçë, në një lokal, disa shtetas po konfliktoheshin për motive të dobëta me njëri-tjetrin. Pas mbërritjes në vendngjarje të patrullës së Policisë, tre shtetasit A.S, 27 vjeç; A.Xh, 41 vjeç dhe L.M, 40 vjeç, banues në Korçë, kundërshtuan dhe nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të rendit, gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e situatës dhe për shoqërimin e tyre drejt ambjenteve të Komisariatit. Tre shtetasit e lartpërmendur, u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik, të kryera në bashkëpunim”. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 70 shtetas, konkretisht: 15 janë arrestuar në flagrancë, 5 janë ndalur dhe 50 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 5 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim, konkretisht: 2 në qarkun Fier të dënuar për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kultivimi i bimëve narkotike”; 1 në qarkun Tiranë i dënuar për veprën penale “Vjedhja”; 1 në qarkun Kukës për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”; 1 në qarkun Shkodër për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, konkretisht 2 raste në qarkun Vlorë me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, 2 raste në qarkun Durrës me një shtetas të arrestuar dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë, si edhe 1 rast në qarkun Fier me një shtetas të ndaluar.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 6 raste të veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje” nga të cilat 4 në qarkun Tiranë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Dibër, si edhe 3 raste të veprës penale “Kanosja” nga të cilat 2 në qarkun Lezhë dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 11 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht 4 në qarkun Tiranë ku 1 nga autorët është arrestuar në flagrancë dhe 3 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 rast në qarkun Durrës, ku autori është shpallur në kërkim, si edhe janë plotësuar 6 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 15 raste, konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë me 1 autor të ndaluar dhe 1 të shpallur në kërkim, 1 rast në qarkun Shkodër me 1 autor të shpallur në kërkim, si dhe 12 raste të tjera për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 11 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, konkretisht: 5 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Berat, 1 në Shkodër, 1 në Dibër, ku 1 autor është arrestuar në flagrancë ndërsa 10 të tjerë po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 5 raste, konkretisht 1 në qarkun Dibër me 1 autor të arrestuar në flagrancë, 3 raste në qarkun Tiranë me 3 autorë njëri prej të cilëve i shpallur në kërkim dhe 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si edhe 1 rast në qarkun Vlorë ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në qarkun Tiranë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 6 shtetas të tjerë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar 7 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 6 në qarkun Tiranë dhe 1 në qarkun Elbasan të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 5 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në qarkun Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Kukës dhe 1 në Dibër, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.