Port Durrës
Policia Kufitare godet një tentativë të kontrabandës së mallrave që paguhet akcizë.
Sekuestrohen 309 steka me paketa cigare.
Arrestohet në flagrancë 1 shtetas.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave shtesë për parandalimin , evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjatë kontrollit në vijën e dytë të autobusëve dhe kamionëve, në autobusin e linjës Maqedoni-Durrës-Bari, me drejtues shtetasin Q.S., kanë konstatuar të fshehura në brendësi të autobusit steka me paketa cigare të llojeve të ndryshme të pa deklaruara nga ana e drejtuesit të autobusit.
Menjëherë është njoftuar Grupi Hetimor, ku gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar , Policisë Kufitare dhe shërbimeve doganore, rezultoi se brenda autobusit ishin të fshehura 309 steka me paketa cigare të markave të ndryshme (3090 paketa), kontrabandë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
-Q.S.,32 vjeç, banues në Gostivar, për veprat penale “Kontrabanda me mallrat që paguhet akcizë” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë “.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për veprime të mëtejshme.