Tiranë – Vijon verifikimi dhe monitorimi në çdo zonë dhe rrugë të kryeqytetit, i mjeteve të cilat ushtrojnë aktivitet të palicensuar në fushën e transportit publik, duke cënuar individët dhe operatorët e licensuar për transportin publik me taksi apo shërbimin publik në linjat rrethqytetëse dhe ndërqytetëse.
Patrullimet e kombinuara me efektivë civilë dhe të uniformuar, janë përqëndruar në zonat ku janë administruar edhe ankesat më të shumta nga operatorët e licensuar, duke bashkëpunuar ngushtë me këta të fundit në funksion të identifikimit dhe goditjes së informalitetit në fushën e transportit publik, ku vetëm sot janë evidentuar dhe proceduar administrativisht 25 drejtues mjetesh, të cilët shfrytezonin mjetet e përdorimit vetjak, për transport pasagjerësh.
Policia Rrugore e Tiranës, falënderon këdo që bashkëpunon dhe kontribuon për një transport cilësor dhe të ligjshëm si dhe apelon për më shumë përgjegjësi dhe bashkëpunim të autoriteteve të tjera që kanë detyrimin për të kontrolluar ligjshmërinë dhe shfrytëzimin ekonomik sipas destinacionit të caktuar.