Vijon puna intensive për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore.
Kapet dhe ndalohet një shtetas në kërkim kombëtar, i dënuar për trafik narkotikësh.
Procedohet penalisht një 39-vjeçar që po transportonte personin në kërkim.
Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, në bashkëpunim me Forcat Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin në kërkim N. A., 31 vjeç, të cilin Gjykata e Apelit Vlorë e ka dënuar me 11 muaj e 21 ditë burg, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë shtetasi G. M., 39 vjeç, banues në fshatin Lepenic, Vlorë, për veprën penale “Përkrahja e autori të krimit”, pasi u kap në aksin rrugor Kaninë-Peshkëpi duke transportuar me automjet shtetasin N. A.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme hetimore.