Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 15 tetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Procedohen penalisht 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Arrestohen në flagrancë 2 drejtues mjetesh. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës proceduan penalisht, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasen M. L., 58 vjeçe, banuese në Durrës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në dyqanin e saj, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa steka me cigare të markave të ndryshme, pa pullë fiskale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë proceduan penalisht shtetasin H. Xh., 57 vjeç, banues në Ishëm, Durrës, pasi në fshatin Kapedanaj, Ishëm, Durrës, ka prerë 1.5 m³ dru zjarri, pa lejen e organeve kompetente. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë proceduan penalisht shtetasit Sh. V., 45 vjeç dhe A. V., 42 vjeç, banues në Derven, Krujë, pasi i kanë pushtuar një sipërfaqe toke vëllait të tyre, shtetasit A. V. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit: Z. L., 24 vjeç, banues në Krujë, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar motorin pa leje drejtimi; I. H., 49 vjeç, banues në Sukth, Durrës, pasi, në Sukth, duke drejtuar motorin në gjendje të dehur, ka aksidentuar këmbësorin, shtetasin e mitur Xh. I., 7 vjeç, banues në Shijak, i cili pas mjekimit në spitalin rajonal Durrës, është larguar në banesë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Vlorë-Më datë 14.10.2020, u shpall në kërkim policor shtetasi A.N., 39 vjeç, banues në fshatin Lepenicë, pasi rreth orës 20:00, ka bërë kallzim babai tij, shtetasi F.N., banues në fshatin Lepenicë, se prej datës 12.10.2020, në mbrëmje , ka humbur kontaktet me djalin e tij. Policia vijon kërkimet dhe po punon intensivish për gjetjen e shtetasit A.N.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 57 shtetas, konkretisht: 9 janë arrestuar, 2 janë ndaluar dhe 46 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Dibër; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Tiranë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë dhe 2 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë;  1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar 1 rast i “Ngacmimi seksual”, në Dibër, ku autori është shpallur në kërkim.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 3 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 raste i “Mashtrimi”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i shpërdorimit të detyrës, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i falsifikimit të monedhave, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të prerje së paligjshme të pyjeve, 1 në Durrës dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të shkatërrimit të prona, 2 në Tiranë, 1 në Fier, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 3 në Tiranë dhe 1 në Korçë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Durrës, 1 në Shkodër dhe 1 në Elbasan.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.