Goditen dy raste të tjera të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.
Kapen duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.
Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur dy raste të tjera të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
I. D., 23 vjeç, banues në Korçë, i cili u kap pranë vendit të quajtur “Guri i Kuq” në Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, pesë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
A. M., 27 vjeç, banues në Shkozë, Tiranë, pasi ky shtetas u kap në vendin e quajtur “Enkelana” në Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “Opel”, një emigrant të paligjshëm, të cilit kundrejt shpërblimit i kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.