Vlorë – Policia zbardh ngjarjen e Novoselës të ndodhur më datë 12 Maj 2019

Vlorë

Policia zbardh ngjarjen e Novoselës të ndodhur më datë 12 Maj 2019

Sajon ngjarjen për interesa personale në bashkëpunim me shokun e tij, por vihen të dy në pranga.

Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më datë 12.05.2019, ku persona të paidentifikuar kanë tentuar të vrasin 24 vjeçarin R. A, i cili në momentin e sulmit ishte duke drejtuar automjetin e tij Volkswagen Golf në autostradën Vlorë-Levan, Policia në bashkëpunim me Prokurorinë ka zbardhur ngjarjen, ku ka rezultuar se ngjarja është sajuar nga autori dhe shoku i tij , për interesa personale.
Në këtë kuadër u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

R. A., 24 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Kallëzimi i rremë”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”.

A. V., 51 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Kallëzimi i rremë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

Nga hetimet e kryera dhe provat e administruara ka rezultuar se shtetasi A.V në bashkëpunim me vetë shtetasin R.A, kanë përgatitur, simuluar dhe realizuar vetë ngjarjen në fjalë për interesa personale duke përdorur gjithashtu edhe një armë zjarri automatike.

Gjithashtu, për shtetasin R.A, më datë 01.06.2019, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, por ditën e djeshme (03.06.2019) është konstatuar nëpër qytet duke mos zbatuar detyrimet ligjore në lidhje me masën e sigurisë.

Materialet në ngarkim të personave të ndaluar i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.