Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit gjatë prezantimit të forcës së posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër
I nderuar z. ministër Lleshaj,
E nderuar prefekte e qarkut,
Të nderuar përfaqësues të pushtetit vendor dhe drejtues të institucioneve,
Të nderuar drejtues e kolegë të DVP Shkodër dhe të Kufirit e Migracionit,
Investimi për ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve në funksion të rendit publik, sigurisë së jetës dhe pronës, është shërbimi më i mirë që po bëjmë për qytetarët dhe për vendin, pasi siguria është faktori kryesor që vë në lëvizje motorët e zhvillimit ekonomik e social të vendit dhe një garanci e fortë për integrimin euroatlantik.
Arsyeja që jemi sot në Shkodër është pikërisht investimi i bërë nga qeveria, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të vendit Edi Rama dhe me mbështetjen e ministrit të Brendshëm Lleshaj, për shtimin e organikës së Policisë së Shtetit me 500 funksione, duke na mundësuar bërjen realitet të krijimit të forcës së posaçme “Shqiponjat”, të përbërë nga këto vajza e djem të aftë profesionalisht, të trajnuar dhe pajisur me logjistikën e nevojshme.
Gjatë viteve të fundit janë mbi 2 mijë të reja e të rinj që i janë bashkuar policisë pasi kanë përfunduar Kolegjin e Policisë në Akademinë e Sigurisë dhe së fundmi jemi në proces për të marrë dhe 350 të tjerë.
Mbështetja për Policinë vitet e fundit ka qenë shumëplanëshe, në shumë drejtime dhe një tjetër fakt i kësaj mbështetjeje është edhe rinovimi me 30% i flotës së automjeteve të Policisë dhe rinovimin e moshës së Policisë.
Qarku Shkodër në tërësi është një qark me kriminalitet të trashëguar, i vështirë për t’u menaxhuar dhe më i vështirë akoma kur ke një polici të vogël në numër, të patrajtuar apo pa logjistikën e nevojshme, por me krijimin e kësaj force të posaçme tashmë Shkodra do ketë më shumë rend e siguri, më shumë besim e mbështetje për Policinë.
E përmenda dhe në takimin e radhës në Vlorë, që qytetarët e kanë mirëpritur krijimin e forcës së posaçme “Shqiponjat”, e si rrallë më parë janë përfshirë realisht në demonstrimin e këtij fakti.
Përditë më vijnë dhjetëra e dhjetëra mesazhe e telefonata përkrahjeje e vlerësimi, por edhe duke më inkurajuar mua si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë që të korrigjojmë së bashku me kolegët ato që s’kemi bërë mirë deri tani.
Ndërkohë, denoncimet e shumta të bëra nga qytetarët, për paligjshmërinë, qoftë në numrin 129 apo në Komisariatin Dixhital tregojnë se qytetarët e këtij qarku e duan ligjin, rregullin dhe e mbështesin Policinë.
Duke përfituar nga rasti dua t’i falënderoj e t’i siguroj qytetarët, jo vetëm të Shkodrës, por në mbarë vendin, se strukturat e Policisë së Shtetit janë tërësisht të angazhuara për të krijuar një ambient social sa më të sigurt dhe për t’iu ofruar një shërbim sa më cilësor.
Njëkohësisht i ftoj të mos hezitojnë asnjëherë për të denoncuar çdo veprim të pahijshëm apo abuzim me detyrën të punonjësve të Policisë.
Të nderuar pjesëmarrës,
Strukturat e Policisë që operojnë në këtë qark, qoftë ato vendore, ashtu dhe ato kufitare, kanë përballuar dhe përballojnë me profesionalizëm e përkushtim një ngarkesë e volum pune të jashtëzakonshme, në drejtim të parandalimit dhe goditjes së krimit, tentativës për kultivim dhe trafikim të kanabisit, trafiqeve të paligjshme, krimeve ndërkufitare, në përballimin e sezonit turistik dhe në monitorimin e zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Gjithë kjo ngarkesë punë u ka privuar shumë të drejta familjarëve të tyre dhe për këtë gjej rastin të falënderoj familjarët e të gjithë punonjësve të Policisë, për mirëkuptimin dhe mbështetjen, por edhe për stresin që kalojnë gjatë kësaj periudhe të pandemisë dhe të vlerësoj e përgëzoj për përkushtimin e angazhimin gjithë strukturat e Policisë në këtë qark.
Të nderuar kolegë të forcës së posaçme “Shqiponjat”,
Prezantimi juaj sot përkon edhe me fillimin e vitit të ri mësimor. Qindra nxënës do ulen në bankat e shkollës të shoqëruar nga stresi për të mos u infektuar nga pandemia. Ndaj kërkoj nga ju, siç fëmijët janë shpresa e së ardhmes, ashtu edhe ju të jeni një shpresë e garanci për më shumë rend e siguri në shkolla, në rrugë e kudo.
Përpiquni të bëni më të mirën në zbatim të ligjit, t’i shërbeni me dinjitet e profesionalizëm, me ndershmëri e përkushtim qytetarëve, duke iu rritur shpresën dhe besimit se tashmë me gjithë këto ndryshime dhe investime, qytetarët të shikojnë një polici moderne të mirë pajisur me logjistikë, mjete bashkëkohore, të trajnuar dhe të aftë profesionalist, por mbi të gjitha me një filozofi të kohës, filozofinë e shërbimit cilësor për qytetarët, dhe të jeni të bindur që asnjëherë s’do ju lënë vetëm po mbartët me vete këto cilësi.
Duke përfunduar, i uroj suksese e punë të mbarë forcës së posaçme “Shqiponjat” dhe gjithë strukturave të Policisë së Shtetit në të gjithë vendin dhe i inkurajoj për më shumë profesionalizëm, angazhim e përkushtim, me qëllim dhënien e një impulsi të ri punës për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi.
Faleminderit!