Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 139 shtetas, nga këta: 34 janë të arrestuar, 8 janë ndaluar dhe 88 po procedohen në gjendje të lirë.

Tiranë – Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor i koduar “PARKIMI”, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë. Vihen në pranga 2 shpërndarës të lëndëve narkotike si dhe shpallet në kërkim organizatori i kësaj veprimtarie kriminale.  Sekuestrohen rreth 620 gr. lëndë narkotike, 2 peshore elektronike dhe sende të tjera. Në vijim të punës për kontrollin e territorit, kapjen e personave që shpërndajnë lëndë narkotike si dhe në bazën e informacioneve të marra në rrugë operative Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë finalizoi operacionin e koduar “Parkimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve S. K., 18 vjeç, dhe A. A., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit O. A. ( nuk jepen të dhëna të tjera për arsye hetimi). Shërbimet e Policisë kanë marrë informacione në rrugë operative se këta shtetas shpërndanin lëndë narkotike kanabis në doza të vogla, në zona të ndryshme në Tiranë. Gjatë operacionit në rrugën “Rrapo Hekali”, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në parkingun ku ishte punonjës shtetasi S. K. dhe si rezultat i kontrollit Policia gjeti dhe sekuestroi lëndë narkotike kanabis të ndarë në doza gati për shitje, si dhe në një ambient tjetër të parkingut gjeti dhe sekuestroi edhe një sasi tjetër lëndë narkotike, gjithsej rreth 620 gramë, 3 aparate celular, 2 peshore elektronike, 1 aparat DVR dhe 1 shkop bejsbolli. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit S. K dhe A. A. merreshin me shitjen e lëndës narkotike për llogari të shtetasit O. A., i cili është shpallur në kërkim dhe vijon puna intensive për kapjen e tij. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Krujë – Vijon kontrolli i territorit, për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike. Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit. Shënimet e Policisë Krujë, në vijim të kontrollit masiv të territorit, në fshatin  Bura, Krujë, në një zonë të shpyllëzuar, ambient i hapur, kanë konstatuar dhe goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht shtetasi M. T., 74 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Bura, Krujë, për veprën penale “Shpërdorim detyre” Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve, të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Krujë, për veprime të mëtejshme.

Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 15 raste, në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 17 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 9 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 8 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 18 raste, 5 raste me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 13 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Shkatërrim prone”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 13 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 15 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 19 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 24 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.