Vlorë/Intensifikim i kontrolleve dhe i monitorimit të qarkullimit rrugor, me pajisje bashkëkohore, në të gjitha akset rrugore dhe pikat hyrëse-dalëse të qarkut.
Prani e shtuar e shërbimeve të Policisë, pranë institucioneve arsimore, në fillim dhe në përfundim të procesit mësimor, për menaxhimin e trafikut, parandalimin e shkeljeve dhe garantimin e sigurisë së nxënësve.
Në fokus të kontrolleve të Policisë Rrugore janë drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë me mjet, në efektin e alkoolit dhe/ose pa leje drejtimi, tejkalojnë shpejtësinë e lejuar apo kryejnë manovra të rrezikshme, shkelje që përbëjnë ndër shkaqet kryesore të ngjarjeve rrugore me pasoja.
Si rezultat i kontrolleve të intensifikuara dhe i monitorimit të vazhdueshëm të qarkullimit rrugor, gjatë 2 javëve të fundit, janë arrestuar dhe proceduar penalisht 10 drejtues mjetesh, konkretisht:
-5 janë arrestuar për drejtim të mjetit, në gjendje të dehur;
-1 është proceduar penalisht për drejtim të mjetit, në efektin e alkoolit;
-2 janë proceduar penalisht për drejtim të mjetit, pa leje drejtimi;
-2 janë proceduar penalisht për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe janë vendosur masa administrative për shkelje të ndryshme, si:
875 masa administrative për tejkalim të kufijve të shpejtësisë;
467 masa administrative për mospërdorim të kaskës mbrojtëse;
74 masa administrative për mospërdorim të rripit të sigurimit;
33 masa administrative për parakalime të gabuara;
30 masa administrative për xhama të zinj;
28 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;
11 masa administrative për pozicionim të gabuar të mjetit;
1439 masa administrative për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
🚓 Policia Rrugore vijon monitorimin dhe kontrollet në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut Vlorë, duke përdorur pajisje dhe mjete logjistike bashkëkohore, me qëllim evidentimin e shkeljeve, parandalimin e ngjarjeve rrugore dhe rritjen e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjeteve dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi rrugor më të sigurt për të gjithë.
