Vlorë/Sekuestrohet 1 automjet luksoz dhe nis hetimi pasuror ndaj pronarit të tij

Vlorë/ Vijojnë kontrollet ndaj automjeteve luksoze që dyshohet se janë përfituar nga të ardhura me burim të paligjshëm.

Sekuestrohet 1 tjetër automjet luksoz dhe nis hetimi pasuror ndaj pronarit të tij.

Në zbatim të planit të masave të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, për kontrollin dhe verifikimin e automjeteve luksoze, strukturat për Hetimin e Krimeve kanë vijuar kontrollet ndaj automjeteve me vlera të larta.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, janë shoqëruar disa automjete dhe, nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se njëri prej tyre, tip “Audi Q8”, nuk justifikohej me të ardhurat e njohura dhe të ligjshme të pronarit.

Në vijim të veprimeve verifikuese dhe deklarimit të marrë, automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa ka nisur hetimi pasuror ndaj pronarit të tij, me qëllim verifikimin e burimit të pasurisë dhe mënyrës së përfitimit të saj.

Policia e Vlorës do të vijojë kontrollet dhe verifikimet ndaj automjeteve luksoze, me qëllim evidentimin e pasurive me burim kriminal dhe goditjen e pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale.