Vlorë – Ndezi zjarr për të pastruar kullotën dhe dogji 10 ha tokë dhe 320 rrënjë ulliri, arrestohet

Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, Stacioni i Policisë Selenicë vuri në pranga shtetasin B. H., 63 vjeç, banues në fshatin Kocul, Vlorë.

Ky shtetas, më datë 11.08.2024, ka ndezur zjarr me qëllim pastrimin e barërave në kullotën e tij, në fshatin Mërtiraj. Si pasojë e erës, zjarri ka dalë nga kontrolli dhe ka djegur një sipërfaqe toke prej 10 hektarësh, 320 rrënjë ulliri dhe bimësi të ndryshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të metejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon sërish, për të gjithë banorët dhe veçanërisht për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë.