Vlorë, Himarë, Sarandë/ Vijon operacioni “Bregdeti ynë”, për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme.
Procedohen penalisht 8 administratorë subjektesh, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.
Në vijim të fazës së dytë të operacionit “Bregdeti ynë”, gjatë ditës së djeshme në plazhin e Zvërnecit, Radhimës, Himarës dhe Sarandës janë liruar 8 parcela bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme me shezlongë e çadra.
Në zbatim të planit operacional të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e vijës bregdetare në drejtim të zaptimit të vijës bregdetare nga subjekte apo persona të cilët nuk janë konfirmuar nga e-Albania”, Task-Forca e veçantë në përbërje të së cilës janë 2 grupe FNSH, shërbime të Komisariatit të Policisë Vlorë, Himarë dhe Sarandë, Policia Bashkiake, Inspektorati i Territorit të kontrollit dhe zyra e Tatimeve të bashkisë Vlorë, gjatë verifikimeve dhe kontrolleve të ushtruara ditën e djeshme në territorin e plazhit në Zvërnec, Radhimë, Himarë dhe Sarandë, evidentuan 8 subjekte pa leje, 2 në Zvernec, 2 në Radhimë, 3 në Himarë dhe 1 në Sarandë ku janë hequr 132 shezlongë dhe 66 çadra.
Në vijim të veprimeve procedurale, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, Himarë dhe Sarandë u proceduan penalisht administratorët e lokaleve, shtetasit: P. R., S. T., M. B., G. C., V. K., I. S., V. K., dhe F. K., për veprën penale “Pushtimi i tokës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.