Vlorë
Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, gjatë prezantimit të Njësisë Policore Detare, në Vlorë.
I nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar kolegë,
Zonja dhe zotërinj,
Rritja e performancës së shërbimeve të Policisë, për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, në çdo pjesë të territorit të vendit, lufta pa kompromis ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit, si dhe forcimi i bashkëpunimit policor ndërkombëtar, është çdo ditë dhe më i qartë dhe shprehje e përkushtimit për realizimin e misionit tonë fisnik, falë mbështetjes së qeverisë.
Identifikimi i vendit tonë si një nga destinacionet kryesore turistike, me burimet dhe bukuritë që ofron në dete, liqene, lumenj dhe male, përveçse na bën krenar, është shoqëruar dhe vijon të shoqërohet me rritjen e numrit të vizitorëve të huaj dhe vendas në këto zona.
Natyrshëm, kjo shoqërohet me rritjen e përgjegjësisë dhe të përkushtimit të shërbimeve të Policisë së Shtetit, për garantimin e një mjedisi sa më të sigurtë.
Kemi rritje me 114% të numrit të vizitorëve të huaj, gjatë vitit 2021, krahasuar me vitin 2020, por kemi rritje me 33% gjatë vitit 2022, krahasuar me vitin paraardhës. Ndërsa ky vit ka filluar me të njëjtin trend rritjeje të numrit të vizitorëve të huaj, reflektuar me rritjen me 59%, gjatë tremujorit të parë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pa dyshim, gjatë sezonit turistik, shumë zona turistike të vendit pritet të përjetojnë rritjen e numrit të banorëve, rritjen e numrit të automjeteve në qarkullim dhe dendësimin e trafikut, fluksin e madh të pushuesve vendas apo të huaj, rritjen e hyrje-daljeve në kufi, dendësimin e mjeteve lundruese në hapësirën detare dhe në ujërat e brendshme, si dhe të aktiviteteve të shumta sportive e kulturore që zhvillohen në këto zona.
Për të adresuar sfidat e sigurisë që paraqesin faktorët e sipërpërmendur, Policia e Shtetit, me mbështetjen e pakursyer të Ministrisë së Brendshme dhe të Këshillit të Ministrave, ka miratuar dhe ka marrë masa konkrete, që do të mundësojnë forcimin e parametrave të sigurisë në të gjithë territorin e vendit, me vëmendje të veçantë në zonat turistike.
Sot, kemi kënaqësinë të jemi dëshmitarë të realizimit të iniciativës më të re të qeverisë sonë, të projektit të sigurisë në plazhe, e cila identifikohet në ngritjen dhe funksionimin e Njësisë Policore Detare. Një projekt i financuar tërësisht nga buxheti i shtetit, në vlerën 104 355 000 lekë, që ka mundësuar sigurimin e të gjithë bazës logjistike për funksionimin e kësaj Njësie.
Kjo Njësi është e përbërë nga 104 punonjës policie të përzgjedhur nga Policia Kufitare dhe Policia e Rendit, të cilët janë trajnuar dhe certifikuar nga specialistë të Rojës Bregdetare Shqiptare, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Kjo Njësi do të rrisë efikasitetin e shërbimeve, për monitorimin e hapësirës ujore, me qëllim parandalimin dhe ndëshkimin e çdo aktiviteti të kundërligjshëm, që cenon jetën dhe shëndetin e pushuese.
Por jo vetëm kaq!
Kjo Njësi, e pajisur me 35 motorë të rinj uji, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare, në hapësirën ujore, do të jetë e gatshme për t’i ofruar ndihmë çdo shtetasi që mund të gjendet në situatë të rrezikshme në det, me qëllim parandalimin e ngjarjeve me pasoja për shëndetin dhe jetën e pushuesve.
Njësia do të funksionojë përgjatë seronit turistik veror, në juridiksionin e strukturave vendore të Policisë Kufitare dhe Migracionit dhe do të shtrihet në të gjithë bregdetin tonë dhe në liqenin e Ohrit, ku edhe pritet frekuentimi më i lartë nga pushues vendas dhe të huaj.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Ngritja dhe vënia në funksionim e Njësisë Policore Detare nuk është masa e vetme që Policia e Shtetit ka planifikuar për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë sezonit turistik.
Në planin specifik të punës të Policisë së Shtetit, të hartuar dhe të miratuar për këtë qëllim, janë planifikuar, në mënyrë të detajuar, masa konkrete edhe për komponentët e tjerë të sigurisë.
Shërbimet e Policisë Kriminale do të jenë të angazhuar plotësisht për parandalimin, identifikimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme që mund të zhvillohet nga subjekte të palicencuara për veprimtari turistike, si dhe të kontrabandës dhe trafiqeve të tjera të paligjshme, për evidentimin dhe mbajtjen nën monitorim të elementeve me precedent kriminal, të grupeve dhe individëve të përfshirë në vepra penale ndaj pronës dhe pasurisë apo në trafikimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Shërbimet e strukturës për sigurisë publike dhe ato të Policisë Rrugore, do të angazhohen me të gjitha kapacitetet në dispozicion, për parandalimin dhe trajtimin e ngjarjeve që mund të ndikojnë në sigurinë e pushuesve vendas dhe të huaj, në të gjithë zonat turistike dhe akset rrugore.
Shërbimet e Rendit, me biçikleta, ato të patrullës së përgjithshme dhe të shërbimeve të specializuara “Shqiponja” dhe “Shigjeta”, do të jenë të angazhuar për parandalimin, evidentimin dhe trajtimin e konflikteve të mundshme dhe të ngjarjeve kriminale në zonat turistike. Ndërkohë, është planifikuar ngritja e Stacioneve të përkohshme të Policisë në Valbonë, Theth, Tale, Gjiri i Lalzit, Palasë dhe Ksamil.
Shërbimet e sigurisë publike do të përditësojnë listën e subjekteve “stacione plazhi” të licencuara dhe do të mbikëqyrin ligjshmërinë e aktivitetit të tyre, në përputhje me kuadrin ligjor.
Natyrshëm, sezoni turistik do të shoqërohet me rritjen e ndjeshme të trafikut urban dhe interurban. Shërbimet e Policisë Rrugore do të angazhohen për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të mundshme nga përdoruesit e rrugës, për parandalimin e aksidenteve, monitorimin dhe disiplinimin e qarkullimit të mjeteve të rënda të transportit të mallrave, gjatë sezonit turistik në rrjetin kombëtar, në zonat e plazheve dhe në qytetet bregdetare. Përdorimi i pajisjeve speciale të monitorimit të qarkullimit rrugor nga toka dhe nga ajri do vijojnë të jenë vlerë e shtuar në aktivitetin e këtyre shërbimeve.
Shërbimet e sigurisë publike dhe ato të Policisë Rrugore pritet të kenë mbështetjen e punonjësve të policisë nga vendet kryesore të origjinës së vizitorëve dhe pushuesve të huaj.
Rritja e ndjeshme e numrit të pushuesve dhe vizitorëve të huaj, që reflektohet në rritjen e fluksit në Pikat e Kalimit Kufitar, diktojnë nevojën për përmirësimin e shërbimeve të Policisë Kufitare.
Për këtë janë planifikuar masa për shtimin e sporteleve, si dhe lehtësimi i procedurave. Numri i pasagjerëve që hyjnë apo dalin nga aeroporti “Nënë Tereza” dy dhe trefishohet. Por vlen të nënvizohet se ky aeroport, tashmë ofron një infrastrukturë dhe teknologji bashkëkohore, e cila, e shoqëruar me rritjen e numrit të personelit dhe të posteve të punës, mundësojnë përballimin e flukseve të tilla.
Natyrisht, bashkëpunimi me organet e pushtetit vendor dhe me institucionin e Prefektit në qarqet e vendit, është i një rëndësie të veçantë. Për këtë arsye është planifikuar zhvillimi i veprimtarive të përbashkëta dhe pjesëmarrja në takimet për analizimin e mbarëvajtjes së sezonit turistik veror.
Do të vijojë bashkëpunimi i shkëlqyer me Rojën Bregdetare, për zhvillimin e operacioneve të nevojshme të kërkimit dhe shpëtimit, dhe me urgjencën mjekësorë e institucionet spitalore, për sigurimin në kohë të shërbimeve në çdo rast.
Kalvin Kulixh (Calvin Coolidge) personalitet i njohur i drejtësisë amerikane dhe presidenti i 30-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës thoshte: “Nganjëherë do të dëshiroja të shikoja njerëz që vendosin theksin më shumë në respektimin e ligjit se sa në detyrimin për zbatimin e tij”.
Në mbyllje të kësaj fjale përshëndetëse, më lejoni të shfrytëzoj rastin t’ju bëj thirrje bashkëkombësve dhe bashkëqytetarëve, subjekteve dhe bizneseve, dhe të gjithë atyre që planifikojnë të vizitojnë apo të pushojnë në Shqipëri, që të respektojnë detyrimet ligjore, normat dhe moralin e sjelljes dhe të bashkëpunojnë dhe mbështesin shërbimet e Policisë së Shtetit, misioni i të cilëve nuk është detyrimisht ndëshkimi, por ofrimi i shërbimeve që garantojnë siguri dhe një ambient sa më të këndshëm.
Punonjësit e Policisë së Shtetit do vazhdojnë të jenë në lartësinë e detyrës fisnike, të ndërtojnë dhe të ruajnë marrëdhënie sa më të shëndosha me komunitetin, të reflektojnë qytetari, mirësjellje dhe profesionalizëm në kryerjen e detyrës.
Ju faleminderit!