Vlorë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Flames”

Hetime të thelluara proaktive për zbardhjen e rasteve të ndodhura më parë, të djegies së pronës private, me zjarr.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Flames”, dokumentohen 4 raste të djegies së automjeteve, në qytetin e Vlorës.

Arrestohet në flagrancë, në tentativë për të djegur një automjet, një 31-vjeçar.

Më herët, në kuadër të këtj operacioni, si rezultat i hetimeve të thelluara është shpallur në kërkim 1 shtetas tjetër.

Zbardhen edhe 3 raste të djegies të automjeteve, identifikohen autorët, por nuk bëhen me dije të dhënat e tyre pasi vijojnë hetimet dhe puna operative.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, të mbështetura nga inteligjenca informative dhe si rezultat i provave të siguruara nga një hetim i ndjekur intensivisht me metoda speciale proaktive për disa javë, nisur dhe nga rastet e shkatërrimit të pronës me zjarr, kryesisht të automjeteve, gjatë muajve dhjetor dhe janar, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Flames”, në kuadër të të cilit u kryen një sërë veprimesh procedurale, konkretisht:

Shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin R. Ll., 31 vjeç, banues në Vlorë, pasi mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Hajro Çakërri”, ka tentuar të djegë me lëndë djegëse një automjet tip “BMW”, të parkuar, i cili është dëmtuar pjesërisht në pjesën e përparme.

Po në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të shkatërrimit të pronës me zjarr, është shpallur në kërkim, më datë 30.12.2021, shtetasi Q. M., 39 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, i cili dogji me zjarr një dyqan me mallra industrialë dhe tentoi të digjte një automjet, të dyja në pronësi të shtetasit F. V.

Gjithashtu, nga provat e siguruara si rezultat i hetimit me metoda proaktive është bërë dokumentimi i ngjarjes së ndodhur më datë 30.12.2021 dhe shpallja në kërkim e 3 autorëve të dyshuar, të dhënat e të cilëve nuk mund të bëhen publike për shkak të hetimit që vijon. Këta 3 shtetas dyshohen se kanë djegur me zjarr 3 automjete, në pronësi të shtetasve E. K., D. S. dhe K. S. Vijon puna intensive për kapjen dhe ndalimin e tyre.

Strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijojnë hetimet për zbardhjen e rasteve të tjera të shkatërrimit të pronës me zjarr dhe identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve përgjegjës për këtë veprimtari kriminale.

Materiale procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.