Vlorë/Finalizohet operacioni i koduar “Parking”

Vlorë/Hetime intensive me metoda proaktive, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, finalizohet operacioni i koduar “Parking”.

Shiste doza Cannabisi, të cilat i përgatiste dhe i fshihte në ambientet e vendparkimit ku ishte i punësuar, në lagjen “10 Korriku”, kapet në flagrancë dhe arrestohet 20-vjeçari.

Sekuestrohet një sasi lënde narkotike Cannabis, një pjesë e saj e ndarë në dhjetra doza gati për shitje.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive për disa ditë, pas informacioneve të siguruara për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar operacionin e koduar “Parking”, i cili u finalizua me arrestimin e shtetasit D. L., 20 vjeç, banues në Vlorë.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në vendparkimin e automjeteve, në lagjen “10 Korriku”, ku punonte shtetasi D. L. Gjatë kontrollit, u gjetën një sasi lënde narkotike Cannabis, një pjesë e saj e ndarë në dhjetra doza gati për shitje.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me 2 automjete dhe 1 celular.

Veprimet hetimore vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.