Viti 2020, viti i Sigurisë Rrugore

Zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor, në fokusin e takimit sensibilizues mes nxënësve të shkollës 9-vjeçare “Servete Maçi” dhe specialistëve të Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë.

Nxënësit e klasave të 9-ta, përreth një orë, kanë bashkëbiseduar me Shefin e Parandalimit dhe Sigurisë në Trafikun Urban Tiranë, në lidhje me rëndësinë që ka zbatimi i rregullave të qarkullimit rrugor. Gjoka ka thënë para nxënësve se drejtimi i mjeteve në gjendje të dehur apo pa leje drejtimi, përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit, shpejtësia tej normave të lejuara, mosrespektimi i semaforit dhe kalimi jo në vijat e bardha janë disa nga shkeljet që sjellin pasoja fatale, deri në rrezikun për jetën, jo vetëm të drejtueseve të automjeteve, por janë rrezik potencial për të gjithë përdoruesit e rrugës. Ai ka theksuar se është domosdoshmëri ndërgjegjësimi dhe jo ndëshkimi, pasi për Policinë Rrugore nuk ka rëndësi sasia e gjobave, por rëndësi ka siguria e jetës dhe përmirësimi i mënyrës së përdorimit të rrugës nga të gjitha kategoritë dhe për këtë duhet më shumë kontribut nga të gjithë.

Drejtoresha e kësaj shkolle Nertina Nallbati ka falënderuar punonjësit e Policisë, si dhe ka apeluar për nxënësit që jo vetëm të respektojnë rregullat e qarkullimit për këmbësorët, por të ndikojnë tek prindërit, motrat e vëllezërit e tyre që edhe ata të respektojnë rregullat gjatë drejtimit të mjeteve. Zonja Nallbati ka theksuar se të gjithë, nëpërmjet Komisariatit Dixhital dhe numrit pa pagese 112, duhet të adresojnë dhe denoncojnë çdo shkelje të qarkullimit rrugor, se vetëm kështu mund të kemi një siguri rrugore më të mirë.

Nxënësit kanë shprehur interes nëpërmjet pyetjeve, të cilave specialistët e Rrugores iu janë përgjigjur edhe me shembuj konkretë nga puna e tyre e përditshme, nëpërmjet pasqyrimit të videove me anë të projektorit.

Specialistët e qarkullimit rrugor u kanë shpërndarë nxënësve fletëpalosje dhe materiale sensibilizuese për rregullat e qarkullimit rrugor.