Veliu, inspektim në pikat e kontrollit në Tiranë, për parandalimin e përhapjes së COVID-19

Gjatë mesditës së sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka inspektuar pikat e kontrollit në Tiranë, të krijuara për parandalimin e përhapjes së COVID-19

Gjatë prononcimit për mediat, në një prej pikave të kontrollit, Drejtori i Përgjithshëm është shprehur:

“U bëj thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë apo të huaj të cilët 15 ditët e fundit kanë hyrë në Shqipëri nga zonat të cilat janë të evidentuara zona të prekura nga coronavirus, që prej ditës së djeshme Policia e Shtetit, së bashku me forcat e Policisë Ushtarake janë duke kryer kontrolle në 66 pika, kryesisht në qytetin e Tiranës, Durrësit, Lezhës, Shkodrës, Elbasanit, Lushnjës, Fierit dhe në qytetin e Vlorës.

Siç e kemi theksuar edhe gjatë ditës së djeshme, të gjitha pikat e kontrollit kanë komunikuar deri mbrëmë me sistemin TIMS. Vetëm nëpërmjet radiove, aktualisht prej disa orësh ne kemi implementuar kontrollin me tableta të të gjithë shtetasve të cilët këto 15 ditë janë futur dhe automatikisht bëhet jo vetëm kontrolli i të gjithë këtyre qytetarëve, por edhe regjistrimi i numrave të telefonit dhe këshillimi i tyre, duke qenë në një sistem si nga Shkodra deri në Vlorë dhe duke u tërhequr vëmendjen.

Në rast se këta shtetas nuk do të bëjnë vetëkarantinimin, atëherë do të fillojë aplikimi i gjobës 5 mijë euro. Duke përfituar nga ju, dua t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët duhet të vetëkarantinohen.

Janë kontrolluar nga ana jonë të mos të marrin mundimin dhe kurajën të dalin në qytet për faktin sepse nuk do të ketë tolerancë. E thashë këtë pjesë për faktin sepse siç duket edhe nga sistemi këta qytetarë evidentohen direkt nëpërmjet sistemit.

Janë 100 tableta të cilat jemi duke i implementuar, janë një sistem, janë duke punuar online duke bërë kryqëzimin e të gjithë të dhënave. Pra, nëse është kontrolluar në Tiranë dhe mund të lëvizi për në një qytet tjetër, do të kontrollohet në Durrës, në Fier etj.

U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë karantinimin.

Pyetje: Sa persona janë konstatuar deri tani që të kenë hyrë gjatë dy javëve të fundit dhe nuk kanë respektuar masat për deklarim?

Përgjigje: Dje u tha nga Drejtori i Sigurisë Publike në emisionet televizive që kanë qenë 100 persona, ndërsa sot numri përsëri është diku te 100 veta të tjerë të cilët janë konstatuar nga pikat e kontrollit, por nuk kemi rast me përsëritje nga rastet e kontrollit nga mbrëmë.

Unë, pavarësisht nga ky numër i vogël u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë thirrjen dhe detyrimin për vetëkarantinim, për faktin se kjo është në interes të vetë këtyre qytetarëve, por edhe në interes të komunitetit dhe në këtë këndvështrim, para 30 minutash, në zbatim të vendimit të fundit të Këshillit të Ministrave për bllokimin e qarkullimit të mjeteve në të gjitha zonat e hartës ku janë evidentuar tashmë individë me koronavirus, siç është Tirana, Durrësi, Shkodra, Elbasani dhe gjithë qytetet e tjera, duke filluar nga nesër prej orës 6 të mëngjesit, Policia e Shtetit do të marrë të gjitha masat, që të ndalojë totalisht qarkullimin e mjeteve të transportit të qytetarëve, si ato të transportit interuban dhe të gjitha mjetet që përdoren nga qytetarët për transport individual.

Prej orës 6 të mëngjesit nesër deri ditën e diel në mesnatë, nuk do të lejohet as edhe një lloj mjeti të qarkullojë në qytetin e Tiranës, në qytetin e Durrësit, në qytetin e Shkodrës, në qytetin e Lezhës, në qytetin e Elbasanit, Lushnjës, Fierit dhe Vlorës.

Gjej rastin t’u bëj thirrje qytetarëve të respektojnë këtë detyrim dhe të na mirëkuptojnë dhe të na e lehtësojnë sadopak punën e shërbimeve të Policisë dhe Policisë Ushtarake, për ta bërë të zbatueshëm këtë detyrim.

Do të lejohen të qarkullojnë vetëm ambulancat, do të lejohen të qarkullojnë mjetet të cilat transportojnë mallra për konsum të qytetarëve. Mjetet të cilat shërbejnë për transportin e medikamenteve dhe te gjitha mjetet e mediave të cilat janë të loguara dhe çdo punonjës i medias do të jetë i pajisur me bexhin përkatës dhe i dërguar nga drejtuesit e mediave për të konfirmuar pranë Policisë së Shtetit.

Po kështu, në lidhje me të gjithë qytetarët të cilët mund të përdorin aeroportin e Rinasit, duhet fillimisht të konfirmojnë pranë sallave operative nëpërmjet numrit 112 ose 129, orarin e lëvizjes në drejtim të Rinasit, linjën e fluturimit, si dhe kohën e lëvizjes.

Në rast se nuk do të jenë bërë këto njoftime paraprakisht në sallat operative, pra nëpërmjet numrit 112 dhe 129, orari i fluturimit, bileta dhe personi i cili do të fluturojë, nuk do të lejohet të lëvizi në asnjë nga akset rrugore dhe do të ndëshkohet, duke respektuar qoftë dispozitat e Kodit Rrugor, por njëkohësisht edhe sanksionet e tjera të cilat kanë dalë në zbatim të situatës së emergjencës së cilës ne po kalojmë.

Faleminderit!”