Vau i Dejës/Zhvillohen takime të tjera në kuadër të programit “Siguria e të Rinjve”

Vau i Dejës / Policia pranë nxënësve!

Në kuadër të programit “Siguria e të Rinjve”, punonjësit e Policisë po vijojnë takimet informuese dhe ndërgjegjësuese në shkollat e qarkut Shkodër.

Shefi i Komisariatit të Policisë Vau i Dejës dhe punonjës të tjerë të komisariatit zhvilluan një takim me nxënësit e gjimnazit “Nënë Tereza” në Bushat, me pjesëmarrjen e drejtoreshës së shkollës, stafit pedagogjik, psikologës dhe oficeres së sigurisë.

Gjatë takimit u trajtuan çështje që lidhen me sigurinë brenda dhe jashtë ambienteve shkollore, si dhe me parandalimin e dhunës, të bullizmit (veçanërisht në hapësirën digjitale) dhe të fenomeneve të tjera negative.

Nxënësit dhe stafi pedagogjik patën mundësi të ndanin shqetësimet e tyre, të drejtonin pyetje dhe të merrnin këshilla praktike nga përfaqësuesit e Policisë.

Gjithashtu, nxënësit u informuan mbi rreziqet dhe pasojat e përdorimit të lëndëve narkotike, duhanit dhe alkoolit, si dhe të mbajtjes dhe përdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL).

Këto takime synojnë ndërgjegjësimin e të rinjve, parandalimin e sjelljeve të rrezikshme dhe nxitjen e bashkëpunimit me Policinë për të garantuar një mjedis më të sigurt brenda dhe jashtë shkollës.

DVP Shkodër mbetet e angazhuar për forcimin e bashkëpunimit me institucionet arsimore, në funksion të sigurisë dhe mbrojtjes së të rinjve.