Tiranë – Vijon operacioni policor i koduar “Fati i lojërave”

Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 4, për goditjen e aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.

Arrestohet në flagrancë 1 shtetas që ushtronte këtë veprimtari.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie, nëpërmjet lotarive sportive.

Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestua në flagrancë shtetasi Z. T., 52 vjeç, pasi u konstatua duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit, nëpërmjet lotarive sportive, në ambientet e lokalit në pronësi të tij, në rrugën “Selman Riza”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparatura dekoder dhe një aparat celular që dyshohet se përdoreshin për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit dhe 62.500 lekë të rinj, që dyshohet se janë përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.