Tiranë – Vihet në pranga 1 shtetas, për veprat penale “Mashtrimi”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”

Tiranë

Në lidhje me një rast të transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, që bën fjalë për një shtetas, i cili kishte përvetësuar shumën 2000 euro me anë të mashtrimit, duke i premtuar një shtetasi sigurimin e licencës për infermier, ju bëjmë me dije se:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që shfaqet në video.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë arrestuan shtetasin I. P., 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.