Tiranë – Tërhoqi një kafshë, me automjet, procedohet penalisht dhe administrativisht 58-vjeçari

Në lidhje me një video të postuar në portale, në të cilën shfaqet një shtetas duke tërhequr një kafshë, me automjet, ju sqarojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore, pas publikimit të pamjeve filmike, kanë nisur menjëherë verifikimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit. Nga verifikimet ka rezultuar se drejtuesi i automjetit, shtetasi Xh. M., 58 vjeç, e drejtonte automjetin pa leje drejtimi dhe kishte mangësi në dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim.

Në përfundim të veprimeve për këtë rast u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin Xh. M. Gjithashtu, ndaj këtij shtetasi u vendos masë administrative në bazë të Kodit Rrugor, për mangësitë në dokumentacionin e automjetit.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë të gjitha rastet e paligjshmërive dhe i fton sërish ata që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112.