Tiranë
Në lidhje me një video të postuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqet një shtetas duke keqtrajtuar një kafshë (mace), ju sqarojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin dhe shoqërimin e autorit.
Në vijim të veprimeve, u shoqërua në komisariat shtetasi S. K., 39 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën një armë sportive, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve nisi procedimi penal për shtetasin S. K., për veprat penale “Keqtrajtimi i kafshës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.