Tiranë/Policia vijon kontrollet dhe matjet për nivelin e zhurmave në subjekte me aktivitet me muzikë

Tiranë/Policia vijon kontrollet dhe matjet për nivelin e zhurmave në subjektet me muzikë, me fokus zonat me aktivitet të lartë.

Gjatë fundjavës, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë kanë zhvilluar takime informuese me administratorë subjektesh dhe persona fizikë, veprimtaria e të cilëve gjeneron zhurmë nga muzika, me qëllim respektimin e kritereve ligjore për orarin dhe nivelin e zhurmës.

Njëkohësisht, kanë vijuar kontrollet dhe verifikimet në terren, kryesisht në zonën e ish-Bllokut dhe në zona të tjera me aktivitet të lartë.

Në kuadër të këtyre kontrolleve, me pajisje matëse të zhurmës janë testuar ambiente dhe subjekte, të hapura dhe të mbyllura, për të verifikuar respektimin e nivelit kufi të lejuar të zhurmës, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”, i ndryshuar.

Matjet e kryera, në përputhje me procedurën standarde të parashikuar për këtë qëllim, kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar.

Kontrollet, verifikimet dhe matjet vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin e ndotjes akustike, garantimin e qetësisë publike dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.

Policia e Tiranës apelon për pronarët dhe administratorët e subjekteve që zhvillojnë aktivitete me muzikë, që të respektojnë kriteret ligjore, në lidhje me orarin e zhvillimit të këtyre aktiviteteve dhe nivelin e zhurmës që gjenerohet prej tyre.

Gjithashtu, fton qytetarët të njoftojnë menjëherë Policinë për çdo rast shqetësimi apo shkeljeje, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm dhe veprim në përputhje me ligjin.

#PoliciaeTiranës #RespektoLigjin #NëShërbimTëQytetarëve