Tiranë – Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 3 shtetas, njëri prej të cilëve ishte shpallur në kërkim

Strukturat e Policisë, krahas angazhimit për zbatimin e masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë vijuar punën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 3 shtetas, njëri prej të cilëve ishte shpallur në kërkim.

Procedohet penalisht për fshehje të të ardhurave dhe ndëshkohet me masë administrative sipas Aktit Normativ, një shtetas, pasi gjatë kontrolleve u konstatua se mbante hapur lokalin.

Ndëshkohet dhe 1 shtetas, për shkelje të rregullave të vetëkarantinimit.

Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. S., 27 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, në xhepin e xhupin iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale gjashtë qese farmaceutike me lëndë narkotike cannabis sativa.

Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit Nr. 3 është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasi A. D., 46 vjeç, pasi në mënyrë sistematike ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes, në prani të fëmijëve.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik dhe Financiar u kap shtetasi M. Sh., 31 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vendosur për këtë shtetas, masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara “, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Është proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Fshehje e të ardhurave”, si edhe është marrë masë administrative sipas Aktit Normativ, neni 3, pika 7, ndaj shtetasit F. Y., 65 vjeç, pasi në rrugën “Ramazan Demneri”, është konstatuar i hapur lokali të cilin e kishte të marrë me qira, por nuk dispononte dokumentacionin përkatës.

Është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, shtetasi Xh. N., banues në Tiranë, pasi ka ardhur nga një vend i prekur nga COVID-19 dhe ka shkelur rregullat e vetëkarantinimit, duke dalë jashtë banesës ku po qëndronte.

Policia e Shtetit apelon për qytetarët që të zbatojnë masat kufizuese dhe të denoncojnë në 112 dhe Komisariatin Dixhital çdo rast paligjshmërie.