Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Veterinary”

DVP Tiranë/Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit Tiranë, operacioni policor i koduar “Veterinary”.

Bashkëpunonin për kontrabandimin dhe tregtimin e barnave të ndryshme, vihen në pranga 8 shtetas, procedohen penalisht 10 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.

Sekuestrohen rreth 100 lloje të ndryshme barnash, të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë të konsiderueshme monetare.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pas një pune hetimore disamujore, të ndjekur me metoda proaktive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Veterinary”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:

  • D. A., 53 vjeç, C. M., 60 vjeç, D. D., 60 vjeç, F. R., 63 vjeç dhe P. V., 60 vjeç;
  • F. G., 55 vjeçe, G. Sh., 49 vjeçe dhe N. D., 34 vjeç, të tre punonjës të AKVMB (Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve).

Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit A. M., 30 vjeç, D. Sh., 46 vjeç, K. C., 30 vjeç., A. T., 46 vjeç, B. Xh., 48 vjeç, V. P., 38 vjeç, V. Rr., 60 vjeç, V. K., 54 vjeç, V. B., 67 vjeç, E. Xh 56 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. S., 49 vjeç.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kontrabanduar lloje të ndryshme barnash, me vlerë të konsiderueshme monetare, me qëllim tregtimin e tyre.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 100 lloje të ndryshme barnash.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë“ dhe “Shpërdorimi i detyrës֝”.

https://youtu.be/jdsJxSuYOdk