Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Receiver”

Finalizohet operacioni policor i koduar “Receiver”, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.

Reklamonte dhe tregtonte radio policie, në një faqe në rrjete sociale, vihet në pranga 28-vjeçarja.

Sekuestrohen radio si ato të Policisë, të dyshuara të kontrabanduara.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Receiver”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetases:

– M. Gj., 28 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprat penale “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në një automjet për shërbime postare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një pako, brenda së cilës kishte 15 radio marrëse-dhënëse si ato të Policisë, të dyshuara të kontrabanduara.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se kjo pako ishte dërguar nga shtetasja M. Gj., e cila i reklamonte dhe i shiste këto radio, që dyshohet se janë futur kontrabandë, në një faqe online, dhe dërgesat i bënte nga shërbime postare, veprimtari të cilën nuk e kishte regjistruar pranë organeve kompetente.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 15 radiot.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.