Finalizohet operacioni policor i koduar “Fraud 21”.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Merrnin kredi në subjekte financiare që japin mikrokredi, me dokumente të falsifikuara, vihen në pranga 2 shtetas.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, zhvilluan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fraud 21”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi i shtetasve:
Sh. Rr., 25 vjeçe dhe L. A., 27 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas kishin krijuar një skemë mashtrimi, me anë të së cilës rekrutonin persona të ndryshëm, kundrejt shpërblimit, duke i pajisur me dokumente të dyshuara të falsifikuara, për të bërë të mundur përfitimin e mikrokredive nga këto institucione financiare.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe vënien para drejtësisë edhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë mashtrimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Mashtrim me kredi”.