Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “COOPERATION”

U kapën duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Procedohen penalisht edhe 7 emigrantët.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, finalizuan operacionin “COOPERATION”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

L. B., alias K. K., 34 vjeç dhe E. M., 30 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasje mbetur në tentativë”, të dy banues në Tiranë. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi M. D., 36 vjeç.

Shtetasit e mësipërm janë kapur nga shërbimet e Policisë, në afërsi të një qendre tregtare, duke transportuar me një mjet fugon, 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit monetar, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë u proceduan penalisht dhe 7 shtetasit e huaj, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit”.

Po punohet për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit”.