Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Shkodër/Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapet dhe vihet në pranga një 32-vjeçar i shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike. Në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, menjëherë kanë bërë lokalizimin e vendndodhjes, kapjen dhe ndalimin e shtetasit L. N.,  32 vjeç, banues në lagjen “Partizani”, Shkodër. Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër, më datë 20.12.2020, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit personal në mungesë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 202 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 48 janë arrestuar në flagrancë dhe 146 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 14 raste, konkretisht: 6 raste të “Kanosja”; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja”, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 18 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 14 raste: 3 raste me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 11 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 21 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 18 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 17 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”dhe 4 të tjerë, për “Fshehja e të ardhurave”.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas dhe janë proceduar penalisht 9 të tjerë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe 3 të tjerë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”.

Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për “Pushtim toke”.

Janë proceduar penalisht 10 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar në flagrancë 10 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 9 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 16 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 15 aksidente, me persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.