Tiranë – Finalizohet operacioni “Korrieri”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve

Finalizohet operacioni “Korrieri”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Vihet në pranga 1 shtetas, për shpërndarje të lëndëve të narkotike në doza të vogla.

Sekuestrohen 342 gr. lëndë narkotike cannabis sativa.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative finalizuan me sukses operacionin e koduar “Korrieri”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

E. P., 32 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë operacionit, punonjësit e Policisë e kanë konstatuar shtetasin E. P., në rrugën “Ndre Mjeda”, duke mbajtur në dorë qese në të cilat dyshohej se kishte lëndë narkotike. Ky shtetas, sapo ka parë shërbimet e Policisë i ka hedhur qeset në tokë dhe ka tentuar të largohet, por është kapur nga punonjësit e Policisë.

Pas kontrollit, shërbimet kanë konstatuar se qeset ishin të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, me peshë 342 gr. (një pjesë e ndarë në 207 qese të vogla farmaceutike), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 1 aparat celular.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.