Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Fireworks 2”.
Zbulohet një tjetër banesë ku mbaheshin lëndë piroteknike të kontrabanduara, për t’ua shitur shtetasve të maskuar, autorë të veprimeve të dhunshme gjatë tubimeve.
Arrestohet pronari i banesës ku u gjetën 47 pako me fishekzjarre, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Si rezultat i kontrolleve dhe punës operative, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që furnizojnë pjesëmarrës në tubimet e fundit, me sende të kundërligjshme, me qëllim kryerjen e veprimeve të dhunshme kundër punonjësve të Policisë, si dhe kundër objekteve publike dhe private, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Fireworks 2”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi D. B., 32 vjeç.
Nga kontrolli në banesën e tij, në rrugën “Zela”, u gjetën 47 pako me fishekzjarre.
Nga verifikimet rezultoi se 32-vjeçari nuk ishte i pajisur as me licencë për shitjen e tyre dhe as me dokumentacionin shoqërues të blerjes.
Ndërkaq, nga hetimet dyshohet se ky shtetas iu ka shitur shtetasve të maskuar, pjesëmarrës në tubimin e ditës së shtunë, lëndë piroteknike, për përdorim për veprime të dhunshme.
Hetimi vijon për të dokumentuar rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetas në tjerë të mund të jenë përfshirë në të.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
