Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor i koduar “Filiali”.
Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 27-vjeçari që mori një shumë parash në filialen e një poste private, duke kanosur punonjësin e postës, me mjet preës (thikë).
Sekuestrohen shuma e parave të vjedhura, mjeti prerës (thikë) dhe veshjet që ka patur autori gjatë ngjarjes, si dhe motomjeti me të cilin ai është larguar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në filialen e një poste private në rrugën “5 Maji”, ku një shtetas mori një shumë parash pasi kanosi punonjësin e postës, me mjet prerës (thikë) dhe më pas u largua me motomjet, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Filiali”, si rezultat i të cilit u arrestua shtetasi:
O. M., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Policia, u bë i mundur identifikimi i këtij shtetasi, i cili më datë 17.05.2023, rreth orës 21:15, hyri në filialen e një poste private në rrugën “5 Maji”, mori xhiron ditore duke kanosur me mjet prerës thikë, punonjësin e postës, dhe më pas u largua me motomjet.
Shuma e parave të vjedhura nga shtetasi O. M. u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me mjetin prerës thikë që ai ka përdorur për kanosjen, veshjet e tij gjatë vjedhjes dhe motomjetin me të cilin është larguar.
Materialet proceduale në ngarkim të shtetasit O. M. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.