Tiranë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Unaza”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë

Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 6.
Zbardhen dhe dokumentohen disa raste të vjedhjeve në automjete, vihet në pranga një 37-vjeçar.
Sekuestrohen veshje të cilat dyshohen se autori i përdorte për kryerjen e vjedhjeve, si dhe sende të tjera të dyshuara të vjedhura.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë penale, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Unaza”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasit E. Y., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”.
Si rezultat i hetimeve dhe provave të grumbulluara, ka rezultuar se ky shtetas, gjatë javëve të fundit, kryesisht gjatë natës, ka kryer një sërë vjedhjesh në zonën e Unazës së Re.
Prej muajit shkurt të këtij viti deri mbrëmjen e djeshme, që u kap në flagrancë nga shërbimet e Seksionit të Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, shtetasi E. Y. ka vjedhur sende dhe shuma parash, në 6 automjete që ndodheshin në garazhe të ndryshme, në Unazë të Re.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas, identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.