Finalizohen me sukses dy operacione policore të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Tiranë.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Gasoline”, vihet në pranga 1 shtetas, procedohet penalisht 1 tjetër. Sekuestrohen 500 litra naftë, vaj motorri dhe antifrizë.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Përsëritësi”, vihet në pranga 1 shtetas.
Në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar janë finalizuar dy operacione policore, në kuadër të të cilëve janë arrestuar 2 shtetas dhe është proceduar penalisht 1 tjetër.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Gasoline” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. N., 55 vjeç, banues në Durrës.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi F. N. ushtronte aktivitet të paligjshëm të tregtimit të hidrokarbureve. Ky shtetas është kapur në rrugën dytësore Vorë-Marikaj, duke tregtuar naftë me bidona, të cilën e depozitonte në një ambient të përshtatur si kontenier.
Në vijim të veprimeve hetimore u procedua penalisht shtetasi L. P., 32 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
——
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Përsëritësi” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. D., 53 vjeç, i cili është kapur në flagrancë me produkte të ndryshme kozmetike dhe detergjentë me etiketa/ambalazhe që dyshohet se i ka falsifikuar.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur depozita me lëng për prodhim detergjentësh, etiketa, ambalazhe dhe stampa të këtyre produkteve, të cilat prodhoheshin në mënyrë artizanale në këtë banesë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.