Tiranë
Ceremoni përkujtimore me rastin e 15-vjetorit të rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Policisë së Shtetit, Ruzhdi Çullhaj.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, me rastin e 15-vjetorit të rënies në krye të detyrës të Dëshmorit të Policisë së Shtetit, Ruzhdi Çullhaj, zhvilloi një ceremoni përkujtimore në nderim të veprës dhe sakrificës së tij.
Në këtë ceremoni morën pjesë drejtues dhe punonjës të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të cilët vendosën kurora me lule pranë memorialit të Dëshmorit, duke nderuar kujtimin dhe kontributin e tij në shërbim të rendit dhe sigurisë publike.
Sakrifica e Dëshmorit të Policisë së Shtetit, Ruzhdi Çullhaj, si dhe e të gjithë Dëshmorëve të Policisë të rënë në krye të detyrës ndër vite, mbetet frymëzim dhe motivim për çdo punonjës të Policisë së Shtetit, për të ushtruar detyrën me përkushtim, integritet dhe profesionalizëm, në shërbim të qytetarëve.
I përjetshëm kujtimi i Dëshmorëve të Policisë së Shtetit!




