Bien në prangat e Policisë 12 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës për kapjen e personave dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra se dy shtetas të shpallur në kërkim strehoeshin në banesat e marra me qera në qytetin e Sarandës, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin e koduar “Riviera” si rezultat i të cilit bënë lokalizimin, kapjen dhe ndalimin i shtetasve:
I. B., 54 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e ka dënuar me 9 muaj burgim, për veprën penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”;
Ermal Barjami, 41 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale“ Fshehja e të ardhurave“.
Po nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar u bë ndalimi i shtetasit M. A., 44 vjeç, pasi Gjykata e Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, ka vendosur caktimin e masës se sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive, e kryer në bashkëpunim” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
E. K., 28 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Ford” nga Forca e Posaçme “Shqiponjat” iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar kanabis;
E. N., 20 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Bmw” nga Forca e Posaçme “Shqiponjat” iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar kokainë.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
Q. K., 63 vjeç dhe A. K., 35 vjeç (babë e bir), pasi gjatë kontrollit të ushtruar në tokën në pronësi të tyre në fshatin “Stan i Ri” Kavajë, u gjetën të kultivuar fidanë të dyshuar kanabisi;
Sh. B., 30 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetase 32-vjeçare.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
M. R., 50 vjeç, pasi është kapur duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur;
G. S., 20 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse;
A. H., 33 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur;
F. Gj., 24 vjeç, pasi ka aksidentuar këmbësorin shtetasin U. D., 74 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.