Tiranë – Arrestohet një 17-vjeçar, i dyshuar si autor i 4 vjedhjeve të ndodhura në qarkun e Tiranës

Arrestohet një 17-vjeçar, i dyshuar si autor i 4 vjedhjeve të ndodhura në qarkun e Tiranës.

Në pranga edhe 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për parandalimin dhe zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, arrestuan në flagrancë shtetasin K. S., 17 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, shtetasit K. S. iu gjet një sasi me lëndë narkotike kokainë.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas është autor i 4 vjedhjeve, konkretisht: Më datë 05.01.2021 ka vjedhur një sasi parash dhe produkte të ndryshme në supermarketin e shtetasit J. Gj.; Më datë 04.01.2021 ka vjedhur produkte të ndryshme në supermarketin në pronësi të shtetasit B. H. dhe në marketin në pronësi të shtetasit L. Gj.; Më datë 30.12.2020 ka vjedhur 10 aparat celular dhe 2 iPad në dyqanin e shtetasit M. N.

——

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. Gj., 24 vjeç, pasi në rrugën “Ismail Qendro”, gjatë kontrollit fizik iu gjet një dorezë metalike (përforcues grushti), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

•J. H., 18 vjeç, pasi u kap në flagrancë duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi;

•I. D., 48 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.51 mg/l.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.