Tiranë
Vijon puna për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve.
Arrestohet në flagrancë një 37-vjeçar, për zjarrvënie në Kodër, Kombinat.
Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Myslym Stafa, 37 vjeç, banues në Kombinat.
Ky shtetas ditën e djeshme në rrugën “Hamdi Cenoimeri” në Kombinat, është kapur në flagrancë duke i vënë zjarrin shkurreve dhe pemëve halore, dhe për pasojë është djegur një sipërfaqe e madhe kodre me peme halore (pisha) dhe shkurre.
Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Shkatrrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë apelon për të gjithë banorët që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie pasi do të përballen me ligjin . Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi duke ju garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.