Tiranë/Arrestohen 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve ekzekutuan vendimin penal për shtetasin E. B., 22 vjeç, banues në Babrru, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasit A. Ç., 41 vjeç, A. Ç., 38 vjeç, dhe E. K., 27 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 110/25, i Kodit Penal. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë marrë forcërisht në automjet, një 22-vjeçar, dhe kanë ushtruar dhunë ndaj tij, për motive të dobëta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 ndaluan shtetasin E. S., 41 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Ngacmimi seksual”, parashikuar nga nenet 134 dhe 108/a i Kodit Penal.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin J. K., 38 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas është kapur duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, dhe nuk është bindur për të kryer testin e dytë të alkoolit. Gjatë shoqërimit në komisariat, 38-vjeçari ka goditur punonjësit e Policisë. Pas verifikimeve të kryera, ka rezultuar se kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 kapën shtetasen E. S., 37 vjeçe, banuese në Kombinat, e shpallur në kërkim nga DVP Lezhë, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga nenet 113 dhe 283/3 të Kodit Penal.
Materialet i kaluan Prokurorisë.