Tiranë/Arrestohen 10 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin E. M., 31 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe municion luftarak.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasit I. H., 34 vjeç, dhe A. D., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, parashikuar nga nenet 236 dhe 237 të Kodit Penal, pasi kanë kundërshtuar me forcë një punonjës policie, për shkak të detyrës.
Gjithashtu, nga këta specialistë u bë arrestimi në flagrancë i 3 shtetasve të mitur të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se kanë vjedhur një çantë në një automjet, në rrugën “Vangjel Furxhi”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit:
- B. L., 31 vjeç, I. M., 20 vjeç dhe R. K., 34 vjeç, të tre banues në Tiranë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 88/25 i Kodit Penal. Ditën e djeshme, në rrugën “Ramazan Gaxherri”, 3 të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me mjet prerës shtetasin F. B., 41 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve;
- K. C., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal, pasi për shkak të detyrës ka goditur me grushte tre punonjës të shërbimit privat të sigurisë fizike.
Materialet i kaluan Prokurorisë.