Thumanë, Krujë – Efektivët e FNSH-së Shkodër, në prag të vitit të ri, ndihma në ushqime për familjet e prekura nga tërmeti

30 pako, me nga 22 kg ushqime secila, të blera me shpenzimet e kolektivit të FNSH-së Shkodër, në shenjë solidarizimi me familjet e prekura nga tërmeti, u janë dorëzuar familjarëve, sot, në Thumanë.

Nisur nga ndjeshmëria e efektivëve për situatën e përjetuar, punonjësit e Policisë, të cilët kanë qenë prezent në Thumanë duke u përfshirë në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe në ndihmë të popullatës si pasojë e tërmetit të rënë, në vijim të kontributit financiar të dhënë më parë, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti, përgatitën 30 pako me ushqime, blerë me shpenzimet e tyre, të cilat i kanë shpërndarë në 30 familjet më në nevojë në Thumanë, Krujë.

Banorët kanë falënderuar punonjësit e Policisë, jo vetëm për ndihmën e sotme, por për gjithë kontributin e sakrificën e tyre gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, pasi falë ndërhyrjes, duke shpërfillur rrezikun për jetën e tyre, bënë të mundur shpëtimin e 7 personave, si dhe në bashkëpunim me ekipet e kërkim-shpëtimit, të ardhura nga vendet mike, nxorën 21 persona nga rrënojat.

#POLICIASOLIDAREHUMANEDHENËSHËRBIMTËQYETARËVE