Themelohet IPA Scodrini Region, Shkodër, “Servo per Amikeco”.

Në Shkodër, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në teatrin “Migjeni”, në prezencë të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, drejtorëve të Drejtorive Vendore të Policisë Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, drejtuesve të IPA-s botërore, zv/presidentit Kyriakos Karkalis, kryetarit të komisionit të thesarit Martin Hoffmann (Austri), si dhe presidentëve të IPA-s nga vendet e rajonit si Mali i Zi, Kroaci, Greqi, Itali, Serbi, Republika e Maqedonisë së Veriut, prefektëve të qarqeve të veriut dhe kryetarëve të bashkive të veriut, veteranëve të Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve rajonalë të Klerit, si dhe të ekipit “Volley Police”, u themelua seksioni IPA Scodrini Region, Shkodër, seksion i IPA Albania.

Presidenti i IPA Albania Skënder Doda dhe përfaqësuesi i IPA Scodrini Region, Shkodër, Ardian Zaganjori, kanë bërë prezent punën e IPA Albania dhe punën e anëtarëve të IPA-s në Shkodër, të cilët me mbështetjen edhe të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Bashkisë Shkodër, mundën të sigurojnë një lokal duke e pagëzuar me emrin IPA Scodrini Region Shkodër, i cili do shërbejë për takime të anëtarëve të seksionit të rajonit të veriut dhe më gjerë.

Gjatë aktivitetit, presidenti i IPA Albania vlerësoi praninë e shumë personaliteteve duke theksuar se prezenca e tyre është mbështetje e madhe, pasi vetë motoja e organizatës është “Të shërbejmë nëpërmjet miqësisë”.

Përfaqësues të klerit dhe të Bashkisë vlerësuan themelimin e këtij seksioni në rajonin Shkodër, si dhe shprehën vlerësim e përkrahje për punën e Policisë dhe për çdo punonjës policie që i shërben qytetarëve me ndershmëri, përkushtim e sakrificë.

Zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë së Shtetit Aida Hajnaj, ka vlerësuar këtë iniciativë dhe në emër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka shprehur edhe njëherë mbështetjen për IPA Albania.

Mentori IPA Albania, presidenti i IPA-s në Serbi është emocionuar nga rritja e shpejtë e pjesëmarrësve në IPA Albania dhe nga kjo nismë, duke theksuar mbështetjen e tij për anëtarësimin e IPA Albania-s si anëtare me të drejta të plota në IPA-n Botërore.

Në fund të takimit u bënë disa anëtarësime të reja, studentë në Akademinë e sigurisë dhe punonjës Policie në rajonin e Shkodrës.

VO: Themelimi i IPA-s në rajonin e veriut me logon përfaqësuese IPA Skodrini Region, Shkodër, Albania, u bë pasi kjo shoqate joqeveritare e punonjësve të Policisë do të shtrihet në qarqet Dibër, Kukës, Shkodër dhe Lezhë. Të gjitha këto qarqe i lidh lumi më i gjatë dhe më i rëndësishëm i Shqipërisë, lumi i Drinit. Për këtë qëllim kemi vendosur logon e IPA botërore duke udhëtuar në një anije liburne.

Rrugë të mbarë IPA Skodrini Region, “Servo per Amikeco”.