Sqarim i DVP Tiranë
Në lidhje me një video të publikuar në portale, në të cilën shfaqet një shtetas që kundërshton me forcë një punonjës policie, ju sqarojmë se për arrestimin e shtetasit që shfaqet në video është dhënë njoftimi zyrtar për mediat, më datë 26 mars, si më poshtë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasin F. S., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”. Gjithashtu, për këtë rast, ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për vëllanë e 22-vjeçarit, shtetasin Xh. S., 26 vjeç, banues në Tiranë.
Rrethanat: Më datë 25.03.2023, rreth orës 23:00, në rrugën “Aleksandri i Madh”, në Unazë të Re, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme kanë konstatuar shtetasit F. S. dhe Xh. S. (vëllezër), të cilët dyshohet se kanë qenë duke konsumuar lëndë narkotike kanabis.
Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, shtetasi Xh. S. është larguar me vrap, ndërsa shtetasi F. S., gjatë ndalimit, ka kundërshtuar me forcë punonjësin e Policisë. Shtetasi F. S. ka mundur të largohet, por pas ndërhyrjes së shërbimeve të tjera të Policisë, është kapur, së bashku më vëllanë e tij, dhe më pas janë kryer veprimet procedurale, në drejtimin e Prokurorisë.