Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier
Në lidhje me rastin e publikuar në rrjete sociale, të një bisede të bërë nga punonjësit e Policisë së Fierit, gjatë kontrollit të ushtruar në një banesë, ju informojmë se:
Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive dhe garantimin e sigurisë në komunitet, punonjësit e Policisë së Fierit, të mbështetura nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit E. D., konform ligjit dhe procedurave standarde të punës, ku kanë gjetur dhe sekuestruar materiale të ndryshme kozmetike, të cilat dyshohet se prodhoheshin në mënyrë artizanale, në këtë banesë. Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. D., 52 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale.
Gjithashtu, në vijim, ju informojmë se ndaj punonjësve të Policisë të cilët shfaqen në regjistrimin audio dhe që kanë shkuar për kontroll në këtë banesë, ka filluar hetimi disiplinor, për shkelje të etikës në komunikim, gjatë ushtrimit të detyrës, bazuar në rregulloren e disiplinës së Policisë së Shtetit.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë raste të abuzimit me detyrën, të punonjësve të Policisë, dhe i fton që të vijojnë të denoncojnë çdo rast me të cilin ata bien në kontakt, duke u garantuar reagim të menjëhershëm, ligjor dhe të paanshëm.