Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë
Në lidhje me prononcimin për media të kandidatit për kryetar bashkie z. Pashk Gjoni, përfaqësues i subjektit politik “Bashkë fitojmë”, i cili ka deklaruar se ditën e sotme, në një lokal të një simpatizanti të subjektit të tij politik në Gjadër, disa persona i kanë rrethuar lokalin duke i kërcënuar personat klientë aty, dhe për këtë kanë vënë në dijeni Policinë e Lezhës e nuk eshte marrë asnjë masë, ju sqarojmë si më poshtë:
Me datë 11.05.2023, në orën 18:00, Policia e Lezhës është njoftuar nga shtetasja L.M., se në fshatin Gjadër, disa persona kanë rrethuar një lokal dhe po kërcënojnë me motivacion politik, shtetasin P. P., klient në atë lokal.
Menjëherë janë angazhuar shërbimet policore të cilat kanë shkuar në adresen e dhënë, ku tek lokali nuk kanë gjetur asnjë person të mbledhur jashtë tij, si dhe as shtetasin P. P. për të cilin ishte bërë njoftimi.
Me qëllim sqarimin e plotë të situatës, është ftuar në ambientet e policisë shtetasi P. P. banues në Lezhë, i cili është pyetur në lidhje me problemin e pretenduar, dhe në deklarimin e tij ai është shprehur që kishte qenë ditën e sotme në një lokal në Gjadër me miq të tij për kafe, por nuk ka patur problem me asnjë person si dhe as nuk e ka kërcënuar apo dhunuar askush.
Në vijim të veprimeve hetimore, janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, edhe personat e tjerë që kanë qenë të pranishëm në lokal, të cilët kanë deklaruar se në lokal nuk ka patur asnjë konflikt, si dhe nuk janë kërcënuar nga askush.
Për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, po shoqërohen edhe personat e tjerë që shtetasja L. M. ka permendur në njoftimin që ka bërë te Policia, që të pyetën dhe të merren dëshmitë e tyre në lidhje me pretendimet e ngritura ndaj tyre për këtë situatë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, do të referohen materialet procedurale në Prokurori për vlerësim.
Policia e Lezhës, ka marrë të gjitha masat për sigurimin e rendit dhe moscënimin e votës së lirë të qytetarëve. Njëkohësisht, i fton kandidatët, subjektet dhe çdo qytetar që të denoncojë me forcë çdo paligjshmëri, duke iu siguruar reagim të shpejtë, profesional e të paanshëm, për ndëshkimin ligjor të çdo personi apo grup personash që do guxojnë të ndikojnë apo kryejnë veprime që cënojnë voten e lirë e lirinë e zgjedhësve.