Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës
Në lidhje me një rast të publikuar në media, ku pretendohet për kanosje me armë të qytetarëve, për dhënien e votës, në fshatin Bushat, ju sqarojmë se:
Më datë 11.05.2023, rreth orës 23:50, shtetasi B. S., banues në fshatin Bushat, ka njoftuar Policinë se kishte një konflikt me disa shtetas, në fshatin Bushat.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë nga shtetasi B. S. dhe nga verifikimet paraprake ka rezultuar se ky shtetas ishte përshirë në një konflikt për motive të dobëta, në rrugë, me 3 shtetas të tjerë.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat, shtetasit e përfshirë në konflikt: B. S., N. S., të dy banues në fshatin Bushat, Q. H. dhe L. Gj., të dy banues në Kukës.
Gjithashtu, është shoqëruar në Komisariat, automjeti tip “Mercedes Benz”, me të cilin qarkullonin shtetasit Q. H. dhe L. Gj. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë automjet nuk është gjetur asnjë send i kundërligjshëm.
Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, palët e përfshira në konflikt nuk kanë ngritur pretendime që gjatë konfliktit të jenë kanosur me armë, për asnjë motiv, por kanë deklaruar se konflikti ka ardhur si pasojë e një keqkuptimi.
Në përfundim të veprimeve procedurale, të katërt shtetasit e shoqëruar u lanë të lirë.
Materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë, për vlerësim.